Friday, May 19, 2017

Jashtë kohe


Frutat dhe biletat e avionit për atdhe
Kërkohen jashtë stine
Se me kohë u bë amëlindja frut ekzotik, 
Në degë të çuditshme,
Çukitur nga zogj të huaj,
Përkundër, papajat dhe mangot rreken të bëhen amëdhe,
Si kumbulla gjysmë e egër nga anë e Xhaferrit
Për komposto mamaje,
Fëmijë që të shohin me bezdinë e mosnjohjes është bërë atdheu,
Kureshti që jep shpirt në ajër si peshk i (zh)gënjyer,
Ti ike, thonë shpinat e fëmijëve të lojës
Tek të ikin edhe ata si shpagime.
Ti s’u beson dashurive të reja që në vendet e tua të vjetra bëjnë blasfemi,
Je Krisht në tempull me farisej prej fisi,
Jemi kushërinj të dytë me diversantë tregimesh,
Nga një grusht vend kaptuar, si gjylen skllavi
Që gëzon lirinë me ngashnjime zinxhiri.
S’ka arrati, veç në mendje
Kapërcej gjithnjë një mur
Të shpëtoj nga fëminia plot me xhelatë malli,
Në ëndrra çajnë komardare topash -
Trupin tënd,
Gomë e kuqe borsetash me ujë të ngrohtë reumatizmi,
Plakut dëgjoi rënkimin, jo ato… të tjerat…
Avlli me flokë të thyer xhamash,
Pemët kureshtare zgjateshin më shumë se ato,
Ç’do shihnin,
Gra govatash dhe vajza kovash
Prej pusesh diskrete që mbajnë sekrete e jo ujë për rast lufte,
Drurë me llërë të gjakosura nga gastaret
E ngulura në llaçin çaçkë të avllisë.
Tani një biletë jashtë sezoni dua për ty,
Se ti je frut jashtë stine,
Frut i pa kohë,
Aguridh i tejpjekur mbi krahë të ftohtë dhjetori,
Nuk ka stinë të pestë për ty,
Nuk ka shqisë të gjashtë për mua,
Të dua me erë, me dashuri prej qeni
Që hënën gjen si sebep për kuitje.