Në një enë (tavë) me ujë hidhen pika boje vaji, të
cilat marrin forma të rastësishme, por edhe të qëndrueshme në epjen e tyre. Më
pas, mbi ujë shtrohet një letër, në të cilën ngjisin të gjitha format e ujshme
të bojës, duke e “mermerizuar” atë. Ato forma janë gjithnjë të ndryshme, të
manipulueshme, me një lloj rrëshqitjeje të brendshme, një laryshi pa fund
harqesh e spiralesh...
Mermerizimi i letrës? Po kjo është ëndrra e çdo
shkrimtari, thashë si gjysmë me shaka kur pashë teknikën që ngjyente letrën me
gjithfarë arabeskash. Këtu më duhet të ve në dukje mospëlqimin tim: rokokoja më
ka ndjekur dhe më ndjek si një qen i bezdisur i lagjes (fillimisht ish i
frikshëm ai qen, por rritja qenkësh shndërrimi i frikës në bezdi), më ka
ndjekur që nga motivet e xhamisë së një farë Et’hemi, ku zakonisht takoheshim
në qendër të qytetit si adoleshentë, e deri në zbukurimet e gjithfarë dyerve
dhe grilave të dritareve më vonë, në plot qytete apo qyteza të Europës, ai
stërpërpunim i hekurit, për të cilin anglezi përdor formën e parregullt të foljes
zakonisht të rregullt “punoj” (wrought iron). Duket se në ato zhdërvjellje
metalike, puna nuk mund të quhet si e zakonshme, për të mos përmendur që nuk
jemi mësuar t’i shohim bashkë estetiken dhe mbrojtësen, madje na duket se e
para e kompromenton të dytën.
Kjo ndjenjë m’u dha përsëri, kur pashë se si
letrën e vendosnin mbi ujë, në të cilin kishin hedhur gjithfarë pikash vajore
boje që merrnin trajta në dukje rastësore aty brenda, herë vetiu e herë pas
trazimeve me një shkop të posaçëm që shtonte kokolepsje të tjera – shprehja
“lesh arapi” nuk mënonte të shfaqej pas arabeskave: për një përkim fatkeq të p-ësë me b-ënë, ajo
m’i kish bërë lëmsh ca koncepte demografike dikur, dhe të rritesh nënkuptokësh
edhe dallimin e së pazëshmes nga e zëshmja. Sidoqoftë, trajtat e mermerit mbi
letër do të doja t’i harroja si zakonisht, sa më shpejt të ish e mundur, siç
bëja edhe për motivet e sixhadeve mbi mure, apo të figurave të tmerrshme të
pallonjve e lloj-lloj zogjsh me harqe të xhenetit, me ca ngjyra të cilat edhe emrat
i kanë aq të çuditshëm, si “gushpëllumbi” apo “zhizhingë”, siç bëja edhe për
motivet e drurit në mobiljet e dikurshme me emrat po ashtu toksikë: “bufe”,
“faqe muri”, “dhomë gjumi”, apo “rimeso televizori”.
I alarmuar se mos e bukura më depërtonte me ato
trajta e stërhollime që thyenin çdo sens të masës, i hiqja sytë menjëherë edhe
nga çdo punim dore në gjergjefët po ashtu rrethorë, nga çdo çentro e gërshet
trikoje. Merret me mend gëzimi im kur vite më vonë realizova se rrethi qenkësh
i pamundur, dhe çdo lakim e hark qenkësh një gjendje mendore, një iluzion si
edhe liria apo lumturia, - apo filmi vetë, një lojë e vegimeve të mbivëna që e
dhunonte natyrën me vrazhdësi herë prej despoti e herë prej gladiatori. Nuk
mund ta shkundja dot një ndjenjë pabesie që më vinte nga ajo mungesë linjash të
drejta, nga ajo anicirë prej fytyrës njerëzore dhe portretit, ndoshta e urreja
harkun nga jatagani aerodinamik osmanlli, - patriotizmi tek e fundit them se
është edhe një qëndrim i ngurtë estetik, - e gjithë këtë nuk e ndreqte as
zbulimi se puna kryq e çupave të molisura me muline, nuk ishte veçse gjeometri
fraktale e llojit shtëpiak. Mirëpo në çastin e fundit të arratisë prej atyre
lakimeve të tepruara, m’u menduan pikat vajore që hidheshin në ujë për të
përftuar format e mermerizimit, ato pika vetmitare origjinash. “Nga je me
origjinë?” mund fare mirë të thuhej edhe si “nga e ke pikën?”, sepse çdo njeri,
po ashtu si edhe format mbi ujë, një pikë ka qenë një herë.
Çdo gjë e madhe ka qenë një herë e vogël, tha
edhe Sabri Godo dikur, në ato mitingjet e para të “Demokracisë”. Është
interesant se si nga ajo zallamahi e atyre ditëve, gjithnjë e më pak gjëra më
mbeten në mend, i gjithë berihaj i atëbotshëm më është rrëgjuar apo fshirë
(falë aftësisë së mrekullueshme njerëzore të harresës), për të mbetur të
patretura vetëm të vërteta të thjeshta, siç ajo thënie me zë të butë ndanë
shungullimave të tjera të mitingut. Ja, nga Blendi Gonxhe i zhurmshëm, për
shembull, nuk mbaj mend asgjë, ndërsa nga Gramoz Pashkoja vetëm klithmën:
“Shumë punë, shumë para, shumë qejf!” Pra, “çdo gjë e madhe ka qenë një herë e
vogël”, gjithë format e zhvilluara mbi suprinën e ujit qenë pika një herë e
dikur, dhe edhe Partia Republikane që s’u bë kurrë e madhe, ka qenë me siguri
edhe më e vogël se ç’është… Pra në mos të pëlqeftë forma, fajin kërkoje tek
pika që e bëri, sikurse një bimë e drobitur ka shumë të gjarë të vijë nga një
farë e keqe. Mbase këtë kanë parasysh kur mallkojnë “të rëntë pika”, jo
hemorragjinë cerebrale. Ato pika të llurbshme, me atë fobi për ujin rrethues, e
kishin të ngjizur qysh në krye armiqësinë me botën. Ato ishin pika të mbushura
me të keqe!
Ç’është e vërteta, pika e lëngut në një rrethinë
e rëndesë të caktuar më ka intriguar qyshse u njoha me vetinë e mrekullueshme
të tensionit sipërfaqsor dhe të sferës si forma që mban volumin më të madh me
sipërfaqen më të vogël në tri përmasa; në një farë mënyre mrekullia e vijës së
drejtë, që shfaqet gjithnjë si largësia më e shkurtër mes dy pikash në një
përmasë, e vijuar tek rrethi, si gjatësia më e shkurtër që rrethon sipërfaqen
më të madhe në dy përmasa, e vazhduar më tej e pastaj tek sfera ekonomike në
tre përmasa, që kavërdiset me volumin e saj maksimal, pa kërkuar tjetër
sipërfaqe rrethuese si ndihmë nga jashtë.
Fati i një pike në një mjedis lirie, pa kufij e
mure, më ka joshur edhe më parë, qyshse shihja ishujt aq përsosshmërisht
rrethorë të vajit mbi gjellët e supat tona të skamura ballkanase. Sallata me
domate ish një mish-mash ku zbatoheshin të gjitha ligjet e fizikës kimike, me
lëngun osmotik legjendar përfund fshirë me copat poroze të bukës, të cilat u
jepnin fund gjithë oazeve të vajit përmes thithjes së fuqishme kapilare. Në
pellgjet e fëminisë pika lubrifikantësh hapeshin me ngjyra vjollcë e blu në
mermerët e parë të ujshëm. Më vonë mësova se ato më së shumti nuk ishin fare
pika nafte a vaji motorësh, por okside hekuri, çka shpjegonte atë hapje
ngjyrash mbi suprinë, për të cilën neve na vinte në ndihmë vetëm shprehja “u
hap si vaji në lakra”. (Pse nuk thonë si vaji në pellgje, ma?)
Më duhet të them se pellgjet e fëminisë janë
shumë më të bukur se ata të mëvonshmit, seriozët, problematikët, me vetëdije
mjedisi dhe ekologjie, në të cilët format nazike të njollave luksoze vjollcë e
mavi zënë e rrëgjohen për të shkuar në origjinë të tyre, në çastin kur një
sferë e vogël e përqendruar ndotëse, prej lënde që dëmton, bie në to, “pikon”
(kjo është ndër foljet më interesante të shqipes, siç është edhe “fillon”,
veprimet e pikës dhe fillit, që janë ndër konceptet me të ndërlikuara teorike
sot e gjithë ditën) dhe shpërhap me rrathë bashkëqendrorë pyetjen në formë
vale: Ç’ndodh me pikën e rënë gjersa bëhet formë? Një hartë në tavan rrëgjohet
në pikën problematike të çatisë, të cilën e di vetëm ti.
Asnjëherë nuk më është dukur ndonjë zbulim i
madh, në një botë që zgjerohet, të menduarit e fillimit si një gjër i vogël.
Mjafton ta rrotullosh bobinën e mendimit mbrapsht, siç kemi bërë sa herë me
këngën e parapëlqyer në shirita magnetofonësh. Gjithë puna është sa prapa e
kthen shiritin (me tahminin që më vonë u bë “guesstimate” dhe “heuristic”). Ku
fillon kënga e parapëlqyer? A ka tjetër këngë para saj, apo ishte këngë e parë?
Në qoftë kështu, këngë e parë, rrotullimi mbrapsht i shiritit domethënë stop
dhe këputje. Me ç’rast, pasonte ngjitja e tij me leukoplast – padija nuk
qenkësh as lumturi, as argument, por plagë.
Kësisoj e vetiu, Shpërthimi i Madh ka depërtuar
në mënyrën tonë të mendimit, si kënga që pason kthimin mbrapsht të bobinës. Ai
difuzon pa prerë bindjet tona që nga modeli i krijimit të universit e deri tek
paniku prej bombave terroriste. Diçka shpërthen, diçka e mbledhur grusht që
kërkon zgjerim e përhapje, duket se çdo pikë ëndërron pushtim e pushtet,
ëndërron të bëjë apo të bëhet hapësirë, një qelizë parake shpërthen për t’u
bërë një qenie, një farë kërkon të bëhet bimë, një fis shkretëtire bën
perandori, një diçka ku çdo mendim mjegullohet teksa përqendrohet deri në tmerr
e pamundësi paralënde, shpërthen me të madhe e bën gjithkahun e gjithçkanë.
Duket si një përsëritje e magjepsur që kemi qejf ta quajmë me terma të mëdha
pothuaj militante: “uniteti i botës materiale”.
Rrëgjimi i vazhdueshëm i formës në pikë mund të
vazhdojë pa fund, pasi pika është e paarritshme, është një formë e Asgjësë, ajo
ka vendndodhje (koordinatë), por s’ka përmasë, dhe këtu fillon paradoksi: si
mund të dish ku ndodhet Asgjëja, dhe si ndodh që llogarisim largësinë mes dy
Asgjëve? Por mbi të gjitha, nëse rrëgjimi arrin tek pika, kjo do të thotë se
gjithçkaja është krijuar nga Asgjëja, gjë që na e kundërshton feja e
termodinamikës dhe na e brohoret ajo tjetra, e
zakonshmja.
Dikur vendosa të simuloj pikën time botëformuese
e ta lija të zhvillohej vetiu. Pra jo për mermerizime letre, por për një
univers timin. Dhe doja që pika ime të ish e përsosur, e lirë nga çdo mëkat i
tokës, nga çdo shtysë, spontane, jo pretencioze, një pikë botëformuese si ajo.
Qysh në fillim pata një problem, pasi nga një pikë duhej të dilnin shumë të
tjera, në mënyrë që të mundësohej një hapësirë, një shumësi Asgjësh. Pika
fillestare duhej të kishte potencial të prodhimit të Asgjëve të tjera, ndaj
duhej mbivendosja e një luzme pikash në një. Për fat kjo më ish e mundur, meqë
një pikë mund të bartë një pafundësi pikash, pasi shuma e tyre është përsëri
Asgjë; në një pikë mund të vendosësh një pafundësi pikash, e ndaj kur thua
Asgjë ke thënë edhe Gjithçka: plotësi s’të lë kurrë në baltë.
Shkenca e simulimit të jep diçka prej krijuesi
(dhe aty e kupton sa i pamundur është Zoti). Simulova një pikë të mbarsur me
shumë të tilla, të cilat i lejova të lëviznin kuturu, në të gjitha drejtimet, ku asnjë drejtim nuk kish ndonjë përparësi,
si dhe me hapa të madhësive të ndryshme, çdo gjë e rastësishme pra, sipas
përkufizimit të lëvizjes brauniane. Mund të isha i qetë: ishte fillesa më e
drejtë dhe e paanshme e mundur!
Pikat buitën në të gjitha anët, dhe sa më shumë
kohë kalonte, aq më e madhe bëhej hapësira që pushtohej prej tyre. Nuk kish
kthim prapa. As zvogëlim. Çdo piksel mbi ekranin e kompiuterit kishte ëndërr
zgjerimin dhe pushtimin e gjithë hapësirës. Varianca[1]
e saj rritej si një përbindësh, pasi katrori i saj i tmerrshëm e kthente çdo
minus në plus, çdo disfatë në fitore, ajo nuk ndalte. Formulat më thoshin po
ashtu se qendra e sferës zgjeruese nuk lëvizte prej asaj të pikës fillestare,
por shrregulli i pikave rritej bashkë me kohën, duke zhvilluar një sferë
gjithnjë e më të madhe e grykëse. Jo vetëm kaq, por edhe përqendrimi i pikave
brenda sferës zgjeruese nuk ishte i njëjtë. Largësia që përshkonin pikat në një
kohë të dhënë ndiqnin shpërndarjen gamma me tre shkallë lirie. Ajo shpërndarje
i ngjante një vale që arrinte një kulm dhe binte ngadalë, duke formuar një
bisht të gjatë aligatori; një shpërndarje që pritshmërinë e ka të barabartë me
numrin e gradëve të lirisë, duke u bërë kështu një monument i së vërtetës natyrore
se liria është një pabarazi e nënkuptuar.
S’kish as barazi, as ekuilibër (përqendrimesh)
nga pika më e ndershme në
botë! Ishte një trisht prej ishujsh utopikë. Ato (barazia dhe ekuilibri)
arriheshin vetëm nëse e frenoje lëvizjen e pikave me mure, tej të cilëve ato
nuk mund të shkonin dhe, po të përplaseshin mbi ta, do të ktheheshin
mbrapsht. Barazia dhe ekuilibri qenkëshin rrjedhojë e pengimit, ato mund të
arriheshin vetëm duke e dhunuar lirinë!
I trandur nga kjo gjetje, e cila u formalizua me
lloj-lloj formulash e grafesh me zell studenti, u riktheva tek mermeri i
letrës, që më thosh se lavdia ishte bijë robërie dhe se format e rrumbullta mbi
suprinën e ujit ishin një vajtim pikash të skllavërisë. Dhe aty, për t’ia
kursyer vetes shfryrjen, nëma me ashk lavdinë.
No comments:
Post a Comment