Rrjedh hapësira, vonë do të thotë
se vendi më s’vjen, ndërsa ti pa ku
një kur i çmuar mbetesh.
Murishte mjegullash.
Kuvli të vetmive pas avllish me avull.
Nëpër sheshe fluri firojnë randevutë.
Ky metropol resh
i varur si krahasim i vrërët për gjithë
ç’kemi bashkë
duhet të prodhojë shi
e gjithë ç’vjen me shirat,
prodhime trishti pa hile.
Retë vetëtimat i mbajnë si teshtimat
zonja me shami.
Shquhet diku një ylber nën mëngë.
Dhe aty vetëtin:
a mund t’i kërkosh një reje të mos rrijë e
vranuar?
Të thërrmon pamundësi e ngushëllimit,
më shumë se vetë vakia.
Metropolis,
kolonat e llërëve për kokën bërë gur
në gjuhë të huaj,
që s’ndjen ngaqë donte të ndjente më shumë.
Një banket me gota dhe sini
me kokën time prerë
nga teh i përkushtimit…
Kokë tjetër më ka mbirë ndërkaq
me tjetër dashuri,
ku ty të tradhëtoj me ty,
bisht zhapiu qafa ime pjellore,
i do dashuritë si shiu, vende-vende.
Jam gjasë
me gjasë,
një gabim i shpërndarë
si këto re të mëdyshura,
i jepemi njëri-tjetrit si holograme,
veç e zbrazët luga vezullon
argjendin e pritjes,
dëshirin e fshehtë
të grabitjes.
Ç’portokall
pas stendës ambulante të resë që shuan
diellin,
sheshi avullor
për randevunë me ty
nëpër flurin e hollë
ndërsa boshin njëri-tjetrit përqafojmë.
Zgjohem. Zot, si shijon asgjëja jote!
No comments:
Post a Comment