Monday, May 25, 2015

Mbetur në Jug

(Skena: Një skelet ushtari i Veriut mbetur në një pemë me cerga myshku spanjoll, gjatë Luftës Civile, diku në Jugun e thellë të SHBA. Rrethana s’dihet dhe s’duhet. Siç as viti. Është dit’ e gjithë shenjtorëve. Hell-of-inn.)

Hollohet Hëna dhe gisht i vejushës,
Unazat i rrinë lirë e më lirë,
Ajo netëve i heq lehtë e me lehtë,
Në gjumë guxon gjithnjë e më shumë,
Ai dot s’e njofton se ende s’ka vdekur,
Ka mbetur në cergat e drurëve në Jug,
Pëlhura të holla si tenda parrisi,
Ku ngecin flutrakët që heqin Veriut.

Vejushat e zeza pinë lëngje pëlhurash,
Përposht krokodilët rrëshqasin e s’mundin,
Një gjol vjen rrotull me avull të butë,
Hukasin zombie ndër lule pishtarësh.
Ntrashet terri e nuk shtillet dot vorbull…
Larg vegojnë dritat, dëftejnë Veri,
Yje që bien,  këputur nga filli,
Nga qafa vejushash të bardha me borë.

***

Me sqimë prej femre, hire kuajsh,
Trokasin ca pulse, si foshnja nëntë muajsh,
Lëkurën e pritjes, dëshira zhguajsh,
Ah, derës sime me trokitje të huajsh…
(…dorëza nga brenda gjithnjë më shumë
Është gati të hapet prej saj, sime vesë,
Të kapet si dorë dashurori në gjumë).

Ushqehem me vesë e me ç’sjellin folesë
Zogjtë që më dinë ndonjë korbogallof,
Me shpresën e shpezës se shpejt, një mëngjes
Krahët do rrah e në ajër do brof;
Kam mbetur në pemën e Jugut me cergë
Pështjellash dhe shtjellash prej myshku spanjoll,
Me vite e ditë pa lajm e haber.
Fësh-fësh fëshfërima ca kumte të hollë,
Që eshtrat m’i ngjethin, m’i ftohin akull,
“Ti di që nuk di më në fund e paprerë”,
Më flet me fletë e fjalos si orakull.
Mbi grykësen grykëse si nxënës në shkollë.

Kam uri për padije, se dija m’është tmerr,
Më zi dhe se cerga e myshkut spanjoll;
Klavikulës kafka diç ruan në erë,
Diçka mos mësyn përmbi karakoll,
Kinse përgjon për një lajm e haber,
Me frikën e lajmësit me lajmin si njollë,
Shtërgje shtrëngate, pëllumba postjerë
Vegojnë e s’më shohin si t’isha një troll
Në bodrumet e natës i tretur në terr…

Për mua tash flasin si t’isha skelet
Në pemë-merimangën mes bluz-ligatinës,
Shpëtim sikur s’kam nga kjo pemë e këto fletë,
Poemë vargje-pranga në buzë të luginës.
Kallamishtes gishtot e natës së fundit
Pësh-pëshën për mua me plot qesëndi,
Tek mblidhin brilantet e rënë të Saturnit
Nga unaza që lirë e më lirë po i rri,
Dhe kokrra gruri të çmuar prej duajsh.

Lëkundem në erë… lëkundem në derë…
Ah, derës time me trokitje të huajsh.
Ata vijnë për një reng e jo ëmbëlsirë[1],
Dhe dot nuk i tremb, dot nuk i zboj,
Tek tundem mbi derë, si këtu në errësirë
Si trembësi i korbave në fushën me ftonj
Tremb korbat e nxirë.

Ftues dhe zbues: Happy Halloween!
Me gishta vejushash, me dyll karameli…
Fryn era kallkan e kokallat m’i ngrin,
Tutkalle ndërfushash, zamkë zabeli,
M’i ngjitin pas drurit e trungut gollganat
Dhe kufjet e veshëve më bëjnë sikur
Diku për dikë po bien kambanat,
Dikë për diku do nisin dikur.

Femur i murrmë, brinjë e flijuar,
Thyer në mes për Gruan, dështake,
Shenjtor e dëshmor gozhdë-ngulur në duar
Mbërthyer skeleti pas frymës prej flake:
Krenia e flisë vdes më në fund
Dhe mbetkësh një pse si tel sacrifice,
S’trembe kërkënd, s’dhembe kurrkund,
I mpirë si mbi flokët një krah karfice.
Pyes kaq keq pse duhej flijuar
Dhe fusha e Jugut kaq keq pse më desh,
Ky jerm syçelët dhe kjo ëndërr fli-zgjuar,
Lakuriqi i natës që s’di kur u zhvesh.

***

Kjo rrjetë s’di më mban mos bie a iki?
M’gabon, siç e gaboj, herë-herë shikimi,
Një fill floriri s’njoh më nga zinxhiri,
Pelinin nga mjalti, një murg nga jesiri,
Këndelljen’ hammock[2] nga therja amok,
Veriun që rend nga Jugu ulok,
Dhe vetë më nuk di në më dua të shkoj,
Vramendjet zbuluese i nis, pararojë,
Mendime më kthehen, të vrarë e zalisur,
Hallka që s’dinë në kanë lidh’ a stolisur,
Me lodhje prej kafshe të kotur katoit,
Mendje s’më japin në duhet të shkoj,
Kush në më pret, a rrjedh më përroi
Me borxhe në fyt
Drejt vjeshtës së dytë…

Gjymtyra-gëlqere ka zënë e nuk do,
Si çdo skelet ëndërron, domosdo,
Për famë e për zulmë, - të bëhet fosil, -
Nga bregu i erës te bregu jeshil.
“Lavdia për eshtrat
Si zahireja për vjeshtrat”,
Ma thotë nga mot një kolibri janari,
Tek varem si fruti me frikë nga hambari,
Se sqepat s’bëjnë këngë, por puthje sqepari.

Mendimet më kthehen të lodhur, zalisur,
Kafaz i kraharorit më ndihet fajtor
Për ta që i la të nisen pa nisur
Mirë borë e Veriut në Veriun me borë…
Më kthehen mendimet të ftohtë, sikterisur,
Dëshmi nuk japin se s’janë dëshmorë,
Ndryshken medaljet e qajnë të lektisur
Si unë për një gjoks që s’u bë kraharor.

Gjethishtja e Jugut në degë fëshfërin,
Pëlhura e bardhë me mall më pështjell,
E heshtur si hënë, e qetë si qefin,
Me mardhjen prej nate që shtillet për qiell,
Vijnë zogj prej Veriut, veç fryn për atje,
Lë boshin e errët në lukthet e fushës,
Trëndafili i erës mbin fill, si i ve,
Si Hëna holluar dhe gisht i vejushës.



[1] Formula trokitëse e fëmijëve në festën Halloween është “trick or treat”, që lirshëm mund t:e përkthehet “reng apo ëmbëlsirë”
[2] Një rrjetë që shërben si shtrat apo ndenjëse

Saturday, May 9, 2015

Metromuzg

Si një treadmill shkon e kund nuk shpie rruga,
Djeg kilokalori kujtimesh më të ëmbla 
Nga ç’thonë manualet për një jetë të rregullt
(Gishtat më s’i shpoj për gjak vëllami, 
Por për t’ëmblin tim që mat me ankth sëmundin).
Borxhin e dritës po kthejnë mbrapsht dritaret,
Unë timin dot s’e kthej…
Kështu më bie muzgu 
Me drurë këmbësor.

Një menisk vagoni kuiti nëpër kthesë,
Treni qen besnik ndjeu mort sërisht,
Eshtra metalike ndjeu mot të prishur,
Shkon e kund nuk shpie, 
Vjen e kënd nuk sjell.

Borxhin e ditës s’ma kthejnë trotuaret,
Borxhin e mbrëmjes s’ua kthej dot dritareve, 
Bie ora ime e Arkeopteriksit, 
Rrëshqanorit tim i mbijnë krahë dëshiri,
Më brof nëpër shpatull syth evolucioni:
S’të thashë lamtumirë, o dinosauri im, 
Lamtumirë s’të thashë…

Ranë të flenë të madhin saurët e shtangët,
Në parkime falas ranë të flenë mustangët,
Me ç’më rrjedh nga zogjt dashkam një fole
Më ndonjë degë godine, 
Me ç’më tha fizika dashkam një shpjegim
Fandaksur në formula
Me përkufizime.

Kur i thanë “i ri” s’e menduan kohën,
Lashtohet ky qytet se shpejt plaket hekuri, -
Siç gruaja dhe uraniumi,
Ka kohën e vet 
Të gjysmëzbërthimit, 
Moshë e ndryshkut: 
Merr frymë e oksido
Rropullitë e tua,
Thjesht një këmbim lëndësh, pra, e gjitha,
Dhe kujtimi yt po kështu, 
Gjysmëzbërthehet, ajme, dhe ai,
Pah i ndryshkut tënd
Më mbulon mëlçinë
Edhe zëmrënë.

Më i hidhur zhgënjimi i insektit
Nga gonxhja plastike se sa nga rrjetë e meri mangës,
Zbërthehet oksidi mbi gjymtyrët e urës
Si këmishë prostitute, 
Mbi gjymtyrët e mia 
Bien luspa të vjetra mbretërimi
Të ish llojit sipëran.

Një tabelë lokali u sëmur sërisht, 
Me verdhëz Ballkani: 
“Brick”.
Haleluja, ka shpresë për ethe
Dhe fërgëllimë, 
Bujtin njerëz të huaj
Që bakshishet llogarisin gabim 
Kësaj nate me dritare që kthejnë reparacionet e ditës pa ty,
Përqindje të ftohta
Baluket rrëzojnë mbi tavolina.
Një trëndafil i lodhur ambulanti që dot s’u shit
Pështet fletët mbi suprinë.

Fytyra jote feksi një çast (wie einst Lili Marlene)
Prapa e pas parvazeve të kujtesës,
Më shumë si mëllaga e një plage 
Se sa si plaga e një mëllage,
Plagët kanë kohë gjysmëmbërthimi
Si këmisha e djaloshit tek shtir mosvëmendjen.
Fytyra jote theksi një çast.

Mbi rrafshnaltën e malit mbinë parafjalët,
Të vetmet bimësi që mund të mbijetojnë ckërkat e tanisë,
Një bagëti pa zot kullot aty-këtu pari,
Zënë zilet e brejnë vetminë dhe barin,
Lëpijnë gurë kripe
Si një vaginë të ashpër
Shajaku.

Një pra e kafshuar në rrënjë si kokë ushtari,
Një kështu e shqyer (gjëmb endemik gomari që sfidon gjëmbin e Tolstoit)
Presin shiun e mbijetesës, ndërsa thundrat 
Largohen për të tjera mizori në mugëtirë.
Do të vijnë fshatarë për të bërë mullarët e tyre të verbër
Me cfurqe të mprehtë tri-dhëmbor, si perëndi të muzgut,
Rrugë tjetër s’ke,
Njom ca baltë krijimi me nofulla sekreti
Dhe ngjite kashtën
Me dashuri të denjë prej zogjsh për foletë
Nën sqetullën e pasigurt të drurit këmbësor
Që po të ndjek teksa ti
Si ai ecën e për kund nuk shkon.