Tuesday, May 31, 2016

Ebru[1]


Në një enë (tavë) me ujë hidhen pika boje vaji, të cilat marrin forma të rastësishme, por edhe të qëndrueshme në epjen e tyre. Më pas, mbi ujë shtrohet një letër, në të cilën ngjisin të gjitha format e ujshme të bojës, duke e “mermerizuar” atë. Ato forma janë gjithnjë të ndryshme, të manipulueshme, me një lloj rrëshqitjeje të brendshme, një laryshi pa fund harqesh e spiralesh...

Mermerizimi i letrës? Po kjo është ëndrra e çdo shkrimtari, thashë si gjysmë me shaka kur pashë teknikën që ngjyente letrën me gjithfarë arabeskash. Këtu më duhet të ve në dukje mospëlqimin tim: rokokoja më ka ndjekur dhe më ndjek si një qen i bezdisur i lagjes (fillimisht ish i frikshëm ai qen, por rritja qenkësh shndërrimi i frikës në bezdi), më ka ndjekur që nga motivet e xhamisë së një farë Et’hemi, ku zakonisht takoheshim në qendër të qytetit si adoleshentë, e deri në zbukurimet e gjithfarë dyerve dhe grilave të dritareve më vonë, në plot qytete apo qyteza të Europës, ai stërpërpunim i hekurit, për të cilin anglezi përdor formën e parregullt të foljes zakonisht të rregullt “punoj” (wrought iron). Duket se në ato zhdërvjellje metalike, puna nuk mund të quhet si e zakonshme, për të mos përmendur që nuk jemi mësuar t’i shohim bashkë estetiken dhe mbrojtësen, madje na duket se e para e kompromenton të dytën.
Kjo ndjenjë m’u dha përsëri, kur pashë se si letrën e vendosnin mbi ujë, në të cilin kishin hedhur gjithfarë pikash vajore boje që merrnin trajta në dukje rastësore aty brenda, herë vetiu e herë pas trazimeve me një shkop të posaçëm që shtonte kokolepsje të tjera – shprehja “lesh arapi” nuk mënonte të shfaqej pas arabeskave:  për një përkim fatkeq të p-ësë me b-ënë, ajo m’i kish bërë lëmsh ca koncepte demografike dikur, dhe të rritesh nënkuptokësh edhe dallimin e së pazëshmes nga e zëshmja. Sidoqoftë, trajtat e mermerit mbi letër do të doja t’i harroja si zakonisht, sa më shpejt të ish e mundur, siç bëja edhe për motivet e sixhadeve mbi mure, apo të figurave të tmerrshme të pallonjve e lloj-lloj zogjsh me harqe të xhenetit, me ca ngjyra të cilat edhe emrat i kanë aq të çuditshëm, si “gushpëllumbi” apo “zhizhingë”, siç bëja edhe për motivet e drurit në mobiljet e dikurshme me emrat po ashtu toksikë: “bufe”, “faqe muri”, “dhomë gjumi”, apo “rimeso televizori”.
I alarmuar se mos e bukura më depërtonte me ato trajta e stërhollime që thyenin çdo sens të masës, i hiqja sytë menjëherë edhe nga çdo punim dore në gjergjefët po ashtu rrethorë, nga çdo çentro e gërshet trikoje. Merret me mend gëzimi im kur vite më vonë realizova se rrethi qenkësh i pamundur, dhe çdo lakim e hark qenkësh një gjendje mendore, një iluzion si edhe liria apo lumturia, - apo filmi vetë, një lojë e vegimeve të mbivëna që e dhunonte natyrën me vrazhdësi herë prej despoti e herë prej gladiatori. Nuk mund ta shkundja dot një ndjenjë pabesie që më vinte nga ajo mungesë linjash të drejta, nga ajo anicirë prej fytyrës njerëzore dhe portretit, ndoshta e urreja harkun nga jatagani aerodinamik osmanlli, - patriotizmi tek e fundit them se është edhe një qëndrim i ngurtë estetik, - e gjithë këtë nuk e ndreqte as zbulimi se puna kryq e çupave të molisura me muline, nuk ishte veçse gjeometri fraktale e llojit shtëpiak. Mirëpo në çastin e fundit të arratisë prej atyre lakimeve të tepruara, m’u menduan pikat vajore që hidheshin në ujë për të përftuar format e mermerizimit, ato pika vetmitare origjinash. “Nga je me origjinë?” mund fare mirë të thuhej edhe si “nga e ke pikën?”, sepse çdo njeri, po ashtu si edhe format mbi ujë, një pikë ka qenë një herë. E në mos të pëlqeftë forma, fajin kërkoje tek pika që e bëri, sikurse një bimë e drobitur ka shumë të ngjarë të vijë nga një farë e keqe. Mbase këtë kanë parasysh kur mallkojnë “të rëntë pika”, dhe jo hemorragjinë cerebrale. Ato pika të llurbshme, me atë fobi për ujin rrethues, e kishin të ngjizur qysh në krye armiqësinë me botën.
Ç’është e vërteta, pika e lëngut në një rrethinë e rëndesë të caktuar më ka intriguar qyshse u njoha me vetinë e mrekullueshme të tensionit sipërfaqsor dhe të sferës si forma që mban volumin më të madh me sipërfaqen më të vogël në tri përmasa; në një farë mënyre mrekullia e vijës së drejtë, që shfaqet gjithnjë si largësia më e shkurtër mes dy pikash në një përmasë, e vijuar tek rrethi, si gjatësia më e shkurtër që rrethon sipërfaqen më të madhe në dy përmasa, e vazhduar më tej e pastaj tek sfera ekonomike në tre përmasa, që kavërdiset me volumin e saj maksimal, pa kërkuar tjetër sipërfaqe rrethuese si ndihmë nga jashtë.
Fati i një pike në një mjedis lirie, pa kufij e mure, më ka joshur edhe më parë, qyshse shihja ishujt aq përsosshmërisht rrethorë të vajit mbi gjellët e supat tona të skamura ballkanase. Sallata me domate ish një mish-mash ku zbatoheshin të gjitha ligjet e fizikës kimike, me lëngun osmotik legjendar përfund fshirë me copat poroze të bukës, të cilat u jepnin fund gjithë oazeve të vajit përmes thithjes së fuqishme kapilare. Në pellgjet e fëminisë pika lubrifikantësh hapeshin me ngjyra vjollcë e blu në mermerët e parë të ujshëm. Më vonë mësova se ato më së shumti nuk ishin fare pika nafte a vaji motorësh, por okside hekuri, çka shpjegonte atë hapje ngjyrash mbi suprinë, për të cilën neve na vinte në ndihmë vetëm shprehja “u hap si vaji në lakra”. (Pse nuk thonë si vaji në pellgje, ma?)

Më duhet të them se pellgjet e fëminisë janë shumë më të bukur se ata të mëvonshmit, seriozët, problematikët, me vetëdije mjedisi dhe ekologjie, në të cilët format nazike të njollave luksoze vjollcë e mavi zënë e rrëgjohen për të shkuar në origjinë të tyre, në çastin kur një sferë e vogël e përqendruar ndotëse, prej lënde që dëmton, bie në to, “pikon” (kjo është ndër foljet më interesante të shqipes, siç është edhe “fillon”, veprimet e pikës dhe fillit, që janë ndër konceptet me të ndërlikuara teorike sot e gjithë ditën) dhe shpërhap me rrathë bashkëqendrorë pyetjen në formë vale: Ç’ndodh me pikën e rënë gjersa bëhet formë? Një hartë në tavan rrëgjohet në pikën problematike të çatisë, të cilën e di vetëm ti.
Asnjëherë nuk më është dukur ndonjë zbulim i madh, në një botë që zgjerohet, të menduarit e fillimit si një gjër i vogël. Mjafton ta rrotullosh bobinën e mendimit mbrapsht, siç kemi bërë sa herë me këngën e parapëlqyer në shirita magnetofonësh. Gjithë puna është sa prapa e kthen shiritin (me tahminin që më vonë u bë “guesstimate” dhe “heuristic”). Ku fillon kënga e parapëlqyer? A ka tjetër këngë para saj, apo ishte këngë e parë? Në qoftë kështu, këngë e parë, rrotullimi mbrapsht i shiritit domethënë stop dhe këputje. Me ç’rast, pasonte ngjitja e tij me leukoplast – padija nuk qenkësh as lumturi, siç ndozot as argument, por plagë.
Kësisoj e vetiu, Shpërthimi i Madh ka depërtuar në mënyrën tonë të mendimit, si kënga që pason kthimin mbrapsht të bobinës. Ai difuzon pa prerë bindjet tona që nga modeli i krijimit të universit e deri tek paniku prej bombave terroriste. Diçka shpërthen, diçka e mbledhur grusht që kërkon zgjerim e përhapje, duket se çdo pikë ëndërron pushtim e pushtet, ëndërron të bëjë apo të bëhet hapësirë, një qelizë parake shpërthen për t’u bërë një qenie, një farë kërkon të bëhet bimë, një fis shkretëtire bën perandori, një diçka ku çdo mendim mjegullohet teksa përqendrohet deri në tmerr e pamundësi paralënde, shpërthen me të madhe e bën gjithkahun e gjithçkanë. Duket si një përsëritje e magjepsur që kemi qejf ta quajmë me terma të mëdha pothuaj militante: “uniteti i botës materiale”.
Rrëgjimi i vazhdueshëm i formës në pikë mund të vazhdojë pa fund, pasi pika është e paarritshme, është një formë e Asgjësë, ajo ka vendndodhje (koordinatë), por s’ka përmasë, dhe këtu fillon paradoksi: si mund të dish ku ndodhet Asgjëja, dhe si ndodh që llogarisim largësinë mes dy Asgjëve? Por mbi të gjitha, nëse rrëgjimi arrin tek pika, kjo do të thotë se gjithçkaja është krijuar nga Asgjëja, gjë që na e kundërshton feja e termodinamikës dhe na e brohoret ajo tjetra, e zakonshmja.

Dikur vendosa të simuloj pikën time botëformuese e ta lija të zhvillohej vetiu. Pra jo për mermerizime letre, por për një univers timin. Dhe doja që pika ime të ish e përsosur, e lirë nga çdo mëkat i tokës, nga çdo shtysë, spontane, jo pretencioze, një pikë botëformuese si ajo. Qysh në fillim pata një problem, pasi nga një pikë duhej të dilnin shumë të tjera, në mënyrë që të mundësohej një hapësirë, një shumësi Asgjësh. Pika fillestare duhej të kishte potencial të prodhimit të Asgjëve të tjera, ndaj duhej mbivendosja e një luzme pikash në një. Për fat kjo më ish e mundur, meqë një pikë mund të bartë një pafundësi pikash, pasi shuma e tyre është përsëri Asgjë; në një pikë mund të vendosësh një pafundësi pikash, e ndaj kur thua Asgjë ke thënë edhe Gjithçka: plotësi s’të lë kurrë në baltë.
Shkenca e simulimit të jep diçka prej krijuesi (dhe aty e kupton sa i pamundur është Zoti). Simulova një pikë të mbarsur me shumë të tilla, të cilat i lejova të lëviznin kuturu, në të gjitha  drejtimet, ku asnjë drejtim nuk kish ndonjë përparësi, si dhe me hapa të madhësive të ndryshme, çdo gjë e rastësishme pra, sipas përkufizimit të lëvizjes brauniane. Mund të isha i qetë: ishte fillesa më e drejtë dhe e paanshme e mundur!
Pikat buitën në të gjitha anët, dhe sa më shumë kohë kalonte, aq më e madhe bëhej hapësira që pushtohej prej tyre. Nuk kish kthim prapa. As zvogëlim. Çdo piksel mbi ekranin e kompiuterit kishte ëndërr zgjerimin dhe pushtimin e gjithë hapësirës. Varianca[2] e saj rritej si një përbindësh, pasi katrori i saj i tmerrshëm e kthente çdo minus në plus, çdo disfatë në fitore, ajo nuk ndalte. Formulat më thoshin po ashtu se qendra e sferës zgjeruese nuk lëvizte prej asaj të pikës fillestare, por shrregulli i pikave rritej bashkë me kohën, duke zhvilluar një sferë gjithnjë e më të madhe e grykëse. Jo vetëm kaq, por edhe përqendrimi i pikave brenda sferës zgjeruese nuk ishte i njëjtë. Largësia që përshkonin pikat në një kohë të dhënë ndiqnin shpërndarjen gamma me tre shkallë lirie. Ajo shpërndarje i ngjante një vale që arrinte një kulm dhe binte ngadalë, duke formuar një bisht të gjatë aligatori; një shpërndarje që pritshmërinë e ka të barabartë me numrin e gradëve të lirisë, duke u bërë kështu një monument i së vërtetës natyrore se liria është një pabarazi e nënkuptuar.
S’kish as barazi, as ekuilibër (përqendrimesh) nga pika më e ndershme në botë! Ishte një trisht prej ishujsh utopikë. Ato (barazia e ekuilibri) arriheshin vetëm nëse e frenoje lëvizjen e pikave me mure, tej të cilëve ato nuk mund të shkonin dhe, po të përplaseshin mbi ta, pikat do të ktheheshin mbrapsht. Barazia dhe ekuilibri qenkëshin rrjedhojë e pengimit, ato mund të arriheshin vetëm duke e dhunuar lirinë!
I trandur nga kjo gjetje, e cila u formalizua me lloj-lloj formulash e grafesh me zell studenti, u riktheva tek mermeri i letrës, që më thosh se lavdia ishte bijë robërie dhe se format e rrumbullta mbi suprinën e ujit ishin një vajtim pikash të skllavërisë. Dhe aty, për t’ia kursyer vetes shfryrjen, e nëma me ashk lavdinë.





[1] Ebru është një mënyrë e të pikturuarit në artin tradicional islamik dhe turk, dhe mund të pëshkruhet si pikturim së pari mbi ujë dhe kalimi i kësaj pikture në letër.
[2] Treguesi statistikor i shmangjes nga e mesmja.

Monday, May 9, 2016

Kuaj të lodhur në fushën me pezme

Si pandehma të gabuara
Teoreme,
Kuajt
Nuk vërtetojnë visoren.
Nuk duhet të shtrihen,
Kur flenë,
Ata flenë në këmbë,
Edhe dashuri bëjnë në këmbë,
Si adoleshentë monizmi
Kuajt.
Mbase u bënë një me baltën
Kur panë
Si therën kaun e vjetër
Pasi brazdoi gjithë jetën
Me mish të thartë nga mundimi.
Sytë s’ua shoh së largu të bindem
Që s’janë mullarë të rrëzuar a njolla balte,
Sytë e kuajve janë bërë për pikëllim
Si hëna e ngrënë për braktisjen
Në netët e ftohta me vetmi të kthjellët.
Ikën retë, nuk deshën të bëjnë shoqëri,
Të të dhuronin një buqetë shiu 
Lënë si kujtim në parvaz,
Rralluan e-mailet e tu si shirat në maj
Ato ditë,
Dhe dhoma mbyste qetësi telefonësh 
Me numra arabë si gamile që flenë
Në shkretëtirën e re të asgjësë -
Gamiljet flenë shtrirë
Me muskujt e thartë
Me frymëmarrje të arrestuar
Nga policë të shurdhër.
S’di pse kjo visore si prej Rrogozhine
Nga dritare e trenit që u prish e ndaloi
Më solli tek ty,
Ato pllanga të murrme mbi rrafshultën e rëndë
Që duken si kuaj me qëndrim të gabuar
Ndaj botës...