Friday, August 21, 2015

Koloni e Marsit

Limonti në koloninë e Marsit,
ndryshk lëkure (oksid pionierësh) bie, pluhur i kuq:
“Të njëjtët elementë qenkëshin kudo, 
shpresuam tjetër kripë
e s’na nda kloruri.
Të gjitha rrugët çojnë në të tjera rrugë!
Njëra rrugë ushqen tjetrën, të dyja askundin”.

U shfaq një diell i dytë, planeti Nibiru 
me të njëjtën ethe floriri edhe ai.
Gjemb mbi bisk trëndafili u rrit fjala “kaq”:
“Kaq vlerë pra, pat heroizmi?

Tradhëtuam çastin për përjetësinë,
tani-në për të ardhmen,
siç të ardhmen kaherë për tani-në,
Një problem me kohën
si specie trashëguam,
apo thjesht në gjen e kemi tradhëtinë?

Këtu-në për atje-në që josh me hire largësish 
gjithashtu tradhëtuam,
racë iluzore e një planeti skllav
lidhur me zinxhira orbite, 
Po një qiell blu veshur gjithmonë,
si sorollatësi i vobektë këmishën e vetme përditë”.