Friday, March 4, 2016

***

Dikush u largua nëpër shi
Me kokën e rrasur thellë në jakë
Dhe dorën e shikimit tim qafuar:
Ai mund të isha unë.
Mendimi më piku nën çadër,
Meniskun mbrojtës të fatit që s’desh
N’atë shi të lagem qull.
Nga ulluqet rridhnin lagjet e gjasave,
Një kokë pas dritares përgjonte limontinë,
Ai mund të isha unë,
N’atë natë një i lumtur do të tretej me blunë
Dhe ai mund të isha unë.
Mund të isha gjithkush
Nga unët që mbipopullonin qytetin,
Policët, spiunët, shitësi i simiteve në cep dhe lypësi
I cepit, të gjithë holograme
Të së njëjtës dritë si unë.
Sa m’i panjohur aq më i ngjashëm më je, njeri.
Në kërkofsha me dritë e kandil në ditë e mugëtirë,
Dije se kërkoj një të pangjashëm
Që dot s’e gjej në këtë planet të ngushtë
Si rrugicë qyteze tek humb në rrethinë,
Bota është tetë miliard gjasa të miat,
Tetë miliard ngjizje në shtretër të ndryshëm prindërish të njëjtë.
Çasti kur sperma e prindit
Nxitoi me gjasën fitimtare
Me mbasen dhe mbarsjen një të shtunë,
Madje dhe prindi mund të isha unë:
A nuk vegjetojmë mjaftueshëm?
Pse mos mbjellim gjymtyrë,
Shtuar si lastarë
A s’janë brezat binjakë vezësh të njëjta
Me fate të ndryshëm
Fidane stinor të ngulur
Në të njëjtin dhe amnor?
Ushtritë armike në lajme i pashë mbushur nga vetjet e mia
Të thirrura nën armë si thërrmija hekuri prej një magneti 
Në rrathë bashkëqendrorë 
E të sëmurë si planeti
Bipolar,
Do të vrisnin njëra-tjetrën me të dalë gazet’ e mëngjesit,
Dikush do të tradhëtonte një tjetër,
Juda dhe Krishti, - me sy ma bën blasfemia, -
Pra Juda, unë dhe shpirti i shenjtë.
Një prift ma dëgjon rrëfimin
Me vëmendje skifteri në gjumë,
Ai prift mund të isha unë,
Sa i kotë, pra, rrëfimi,
Bezdi molologu dhe gjasë prej shoku
Që pi shkulma gjaku nga ty 
Dhe quhet vëllam e jo kanibal.
Shpirt është fjalë e shenjtë jo pa arsye, shpirt,
Vetëm kufonat do t’i kemi të ndryshme,
Ato i duan varret veç me vendim të vjetër proverbi,
Vetjake vdekja si mundet
Kur jeta q’e lindi është kaq e marrëdhënë
Sa që kufirin tim tek i yti e humb?
S’i njoh territoret në zonat turbull
Ku unë e ti ngatërrohemi me difuzione drite e grije,
Ti e di që të mendoj me një ndryshore të vazhdueshme
Në formë diskrete
Pra në gjithë gjasat e numrave.
Ti mund të ishe unë,
Dhe unë mund të isha ti
Bashkë me mendimin tënd për mua,
Me mall e urrejtje, përçmim e shpërfillje,
Me ç’rast harromë pa mëshirë e braktismë
E bëmë të vuaj me dijen e ndërprerë
Timetënden,
Si diagramë mësimore bashkësishë kokëforta
Që duan tek s’duan
Pjesërisht,
Me duo pjesore foljesh të pafolura
Nëse kjo të ngashënjen…
Një jetë për gjasë – ky është thelbi i mjerimit tonë,
Raporti kurrnac, i hekurt
I krijuesit cingun.
Dhe ai mund të isha unë.