Thursday, February 25, 2016

Tirana

Tiranë, 
amëdhe, 
dielli mbi Dajt u bë ngadalë agullim, 
agim i vjetër, -
s’ka nevojë për lojë fjalësh Tirana
të bëhet një gjendje mendore,
Tirana është një rreth i pamundur, 
gjeometri fraktale me kokalla kordash të thyera,
një hartë politke dhe dy koordinata në hartën google,
një satelit e shikon për mua Tiranën
si unaza Saturnin 
në dëshirën e tharë për martesë e trashëgime,
llokume të këqia dhe urime, damask, perde, divan, kryeqytet,
Turqia është Azi e vogël,
a është Turqi e vogël Shqipëria?
Kjo është çështja.
Geni i zhapiut më lëvrin
me kujtesën e dinosaurëve,
ngrohem mbi një mur qerpiçi mbushur cerga,
jam bërë lloj gjak-ftoht, e humba diellin tënd Tiranë,
dhe dashuria për ty m’u mpak kundër dëshirës,
se dashka materie dashuria,
dashuri e nocionit bëhet dikur instinkt,
një tropizmë vishtullore, një epsh i verbër partenogjenze,
evolucioni m’erdh si rrëgjim
rëshqanorësh,
bulurij me mushkritë e vockla të hadhucës
e askush s’më ndjen, 
më mbulon me zhurmë tanija
si të vdekurin grushtet e dheut funeral,
unë qaj sa herë që andej nxjerrin fosile
si një Kasandër, se të qarën nuk ma njeh njeri,
Tiranë.