Thursday, October 1, 2015

Guacka spirale

Teksa ajo i flaku guackat e mbledhura me aq kujdes dhe përkushtim për disa orë rresht, unë pata vegimin e një zbulese, m’u duk sikur kuptova gjithçka në atë sekondë. Kjo puna e zbulesës prej sekondës së diçkaje të zakonshme ka ndodhur në histori me njerëz të famshëm, që na vijnë me gjetjet e mëdha, Arkimedi që doli nga vaska duke bërtitur, Njutoni të cilit i ra molla në kokë, pra nuk se ishte ndonjë çudi e madhe. Tani unë nuk jam Njuton dhe nuk zbuloj rëndesa, por jam ama një vdekatar i zakonshëm dhe si i tillë zbulova (m’u duk) pse Doloresi është me mua. Sepse unë po e vrisja mendjen bajagi e prej kohësh se pse Doloresi rrinte me mua. E kam fjalën pse e kishte bërë atë zgjedhje. Sa herë që ndeshja në TV frazën “why are you settling”, mendja me shkonte drejt e tek Doloresi dhe vetja ime. Ishte një marrdhënie që rrinte pak skiç, pasi unë nuk isha munduar ta arrija atë; nuk e kisha “gjuajtur”. Doloresi nuk ishte një kurorëzim. Sepse besimi i përgjithshëm është që vajzave të kërkuara “u duhet bërë hyzmeti”. Për to duhet punuar sipas të gjitha normave dhe manualeve të kulturës protestante. Ndërsa ky nuk ishte aspak rasti, unë nuk “e kisha gjuajtur”. Jo për gjë, por ngaqë si rregull “nuk gjuaj”, dhe arsyen e kësaj nuk kam guxuar ta shkoqis ndonjëherë, domethënë as me vete nuk kam guxuar ta përsias si e pse, pasi kam frikë nga përfundimi, kam frikë mos më del përpara ndonjë frikë nga ato që rrine varur në musandër krahas veshjeve të mira në kremastare të drunjta ruajtur me bar mole. 
Kjo frika nga frika duhet të jetë ndonjë gjë me të cilën filozofët duhet të kenë bërë goxha emër, ma do mendja. Si edhe poetët, xhanëm. Ëndërr në një ëndërr. Çudi nga çudia. M’erdh çudi që u habita… E të tilla gjërëra. E të tjera e të tjera… Nuk kam guxuar të kuptoj se pse nuk gjuaj përgjithësisht, jo vetëm për femrat, por edhe për shumëçka tjetër, domethënë edhe për ndonjë punë të mirë, të themi, apo për miq të zgjedhur, me ndikim dhe rëndësi. Si rregull ngushëllohem me ç’më sjell hera, ngushëllohem po ashtu gjithnjë me thënien e vjetër sa vetë ngushëllimi, se mund të ish edhe më keq nga ç’është, çka siguron më mirë se shumë hapje e receta një gjumë pa trazira. Por të mbetemi tek gocat, meqë po flisja për Doloresin: nuk e kisha gjuajtur atë që do të ishte ëndrra e jo pak djemve me vlerë sigurisht më të madhe se e imja në tregun e ndershëm të ofertave për femrat. Një arsye me tepër kjo për të mos u besuar ligjeve të ekonomisë, mardhënieve të ndërthurura të kërkesës, ofertës dhe çmimit, për të cilat kisha krijuar bindjen se percaktonin gjithçka midis njerzve, edhe në mardheniet e afërta e të brendshme mes tyre (rrekja ime për tëmos përdorur fjalën “intime” më bënte jo rrallë t’i bija gjatë, e jo vetëm fjalëve). Është ekonomi puro, i pata dhënë dum, qyshse një vajzë për të cilën më kishte rënë keq në kokë, më tha pa ia bërë syri tërr e me një natyrshmëri vrastare, se do të më linte, sigurisht, po t’i dilte një rast më i mirë se unë, të themi ndonjë yll kinemaje apo i biri i ndonjë milioneri me famë. S‘do mend, s’do mend, u hoqa atë botë sikur nuk më bëri fare përshtypje. E ç’është e drejta, nuk dija a t’i gëzohesha apo jo atij sinqeriteti, një gjë që me ngulm e kerkojmë tek njerezit me të cilët kemi të bëjmë. Kjo, përveç dyshimit mbi vlerën e vërtetë të sinqeritetit, më nguliti atë bindjen që përmenda, domethënë të zbatimit pa kusht të kritereve të ekonomisë (mikro dhe makro) në çdo fushë të jetës, edhe në atë shpirtëroren, e madje sidomos në atë shpirtëroren. U ngazëlleva kur mësova mbi utilitetin si koncept, sepse ai u vinte kapak gjithë përsiatjeve të stërzgjatura mbi zgjedhjet dhe zgjidhjet që bëjmë në jetë. Ishte aq magjike ajo fjalë: pas çdo vendimi rrinte e fshehur si lepuri i madh pas ferrës së vogël - të vogël në dukje, apo “sic”. U-ti-li-te-ti: sa bukur kur bota shpjegohet kaq lirshëm dhe rigorozisht, njëherësh! Më pas, lloj-lloj teorish, si ajo e lojës, për shembull, ndërtuan një përbindësh të vockël nën skalpin tim, në analogji kjo me lepurin me ferrën, dhe e betonuan aftësinë dhe mënyrën time të të shpjeguarit të botës, femrat përfshirë, meqë po flasim gjithnjë për Doloresin, deri në pikën kur kjo gjë po rrezikonte të bëhej e mërzitshme, si gjithçka e parashikueshme.
Por fakti që Doloresi po vazhdonte të donte të rrinte me mua, edhe pas disa takimeve të para, të cilat nuk se ishin as dhe të lavdishme, që të thuash, nga ato që mbahen mend gjatë, po ma trondiste gjithë sistemin e ndërtuar me aq mund për të shpjeguar botën. Pikërisht kur prisja një ndarje nga ato të tipit “shihemi, rreth e rrotull jam”, ndarje të cilat ta bëjnë idenë e rrethit dhe rrotullit fare të ngjashme me atë të një spiraleje pa fund e të spanuar, vinte në mbyllje ftesa e saj, “a je i lirë pasnesër pasdite… të themi nga shtata”? Dhe unë sigurisht që isha. Gjithmonë. 
Çdo fitore e pamerituar sikur barazpeshohet me zhbërjen tonë dora-dorës, me dobësimin e syve apo të ndonjë organi jetik, veshkave me siguri. E kam mëse të qartë që plakjen e kemi një rrjedhim të fitoreve të tilla, sepse merita është tek e fundit një konvencion tejet subjektiv dhe i pa bazë. Ngadhënjimi pas çdo takimi me Doloresin jam i sigurt që duhet të më shkaktonte ndërkaq ndonjë katastrofë të vogël organike, ndonjë shtim rrudhe apo thinje të paktën, sepse ndryshe do të ishte e pakuptueshme e gjitha, sikur edhe thjesht për hatër të termodinamikës. Kur gjërat duken shumë të mira për të qenë të vërteta, atëherë ato janë vërtet të tilla, shumë të mira për të qenë të vërteta, dhe pas çdo takimi me të, që për mua ishte krejt, po krejt mesatar, shetitje pa ndonjë pikë kulmore, përsëritje temash të herës së shkuar, ndonjë debat që nuk ngrihej kurrë në kulmet e konfliktit ideor, pas çdo situate të tillë pra, kur vinte përsëri ftesa për një tjetër randevu, me kohë aq të përcaktuar, këtë të premte, këtë të martë, unë ndihesha si i vrarë më pas, me saktë si i plagosuri që nuk di se ku e ka marrë plagën. Kur të ecën aq mirë, jo rrallë të ze frika pa shkak, ashtu thjesht si për kompensim të gjërave. Gjatë kohës deri në takimin e ardhshëm, çdo sëmbim i vockël me dukej si shenjë e sigurt e ndonjë sëmundjeje me gjasë fundore, çdo fytyrë e përçudshme pas gjumit e para pasqyrës, me atë ngrirjen prej parafine, më dukej si një prishje pa kthim prej moshimit, derisa në fund vinte dita e takimit dhe çdo gjë shkonte si më parë dhe unë e gjeja veten në rrjedhën e një lumi në të cilin do të donte të ishte shumëkush nga djemtë që njihja, rrjedhë që më shtynte medoemos në afrimin e radhës me Doloresin, edhe pse thellë kisha një lloj mosbesimi. Ky (mosbesimi) s’është veçse syth i një frike parake e kultivuar në një frut ekzotik.
Nuk arrita asnjëherë të isha krejt “intim” me të, pavarësisht orëve të kaluara bashkë. Madje, pasi filluam të konsumonim seks, pyetja “pse mua” m’u bë edhe më e fortë, në vend që të fashitej. Kjo ndodhte pasi nuk kishte tjetër pritshmëri sqarimi paskëtaj, s’kishte ç’të ndodhte më, kështu më dukej, pas së cilës të thyhej pengesa e moskuptimit. 
Nuk mëtoja ta dashuroja. Dashuria ishte diçka me të cilën i kisha larë hesapet, fatmirësisht, ose fatkeqesisht, ose të dyja bashkë më mirë, pra “për fat” i pata larë hesapet çprej disa kohësh. Kisha një siguri si prej vaksinimi për të: nuk më ze më. Thjesht kërkoja të ndihesha mirë pranë saj, në një gjendje entropike më të volitshme, çka herë-herë edhe ndodhte, por aq sporadikisht, saqë përsëri pyesja veten “pse me mua, pse mua, Dolores”? 
E kësisoji po shkonte puna, deri para pak ditëve, siç thashë, kur po mblidhnim guacka në breg të detit. Ishte një nga ato ditët e bukura, por jo mjaftueshëm, kur ajo gjëja që mungon nuk të jepet e përcaktuar, por thjesht si mungesë, dhe ne po ecnim në breg të detit duke mbledhur guacka të një lloji pak të rrallë spiral. Duhej një farë mjeshtrie për t’i gjetur, e në fillim po mjaftoheshim me ndonjë guackë të thyer, derisa ngadalë po ia merrnim dorën pikasjes së tyre: guackat e mira nuk ndodheshin krejt në breg, ato duheshin kërkuar pakëz më thellë, dhe pikërisht në ato hope kur vala tërhiqej dhe tjetra pasardhëse nuk kishte mbërritur akoma, pikërisht në atë grimë kohe dhe në atë vend, kishte një mundësi të vërtetë të gjeje ndonjë për të qenë. Guacka e parë e përsosur që unë e kapa vetëtimthi u shoqërua me një brohorimë ë vogël prej saj. Ishtë një gëzim aq i sinqertë, saqë unë iu vura më me pasion gjuajtjes së guackave të tjera, dhe pas pak arrita të shquaj dhe të kap të dytën. Si i kap, si i kap, pyeti ajo plot interes, dhe unë ia tregova atë punën e valës që tërhiqej dhe e zbulonte tabanin e rërës për pak sekonda. Iu vumë plot gaz punës, sa tërhoqëm vëmendjen e disa të tjerëve rrotull, të cilët u vunë të kapnin guacka edhe ata sikundër ne, por pa sukses. Ne kapëm aq sa nuk po i mbanim dot në duar, dhe filluam të flaknim ato që nuk dukeshin aq të përsosura, që ishin të thyera pjesërisht, derisa mblodhëm aq sa s’mund të mbanim më në duar. Ishin vërtet të bukura, dhe kur dolëm nga bregu e u ulëm diku në rërë, i vumë në radhë të seleksionuara me kujdes sipas madhësisë. Ajo dukej e lumtur. Unë u ndjeva mirë në gëzimin e saj. Për herë të parë provova një ndjesi të vërtetë afrimiteti: ajo do të më kujtonte në shumë pasdite kur ta kundronte atë koleksion guackash në shtëpi të vet. Pata një zbutje të diafragmës, të pa ndjerë prej kohësh, dhe më erdhi aq mirë për veten dhe aftësinë për një emocion të atij lloji. Natyrisht që Doloresi m’u duk më e bukur se kurrë; për këtë ndihmoi edhe dielli në perëndim që ra për një çast mbi flokët e saj duke e praruar si një perëndeshë deti. Ishte e para herë që nuk po pyesja pse kisha aq fat e nuk po kërkoja shpjegim për gjësend. Ajo i mblodhi guackat me kujdes, dhe shi kur unë nuk e prisja, i flaku të gjitha në det me natyrshmërine e një frymëmarrjeje. Dhe më buzeqeshi lehtas. Nxorri një guackë të fundit, e cila ishte krejt e zakonshme dhe e thyer në mjaft vende, dhe tha thjesht: “këtë po mbaj”.
U hoqa sikur s’më bëri përshtypje fare, me aq sa kjo ish e mundur, dhe tunda kokën për të miratuar, por ndërkaq nuk po kuptoja asgjë, aq asgjë, sa që më në fund po kuptoja gjithçka.